3 miliardë lekë garanci bankave që do u japin hua bizneseve të produkteve ushqimore

0

Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë, që do të mundësojë huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, për të siguruar financimin e nevojshëm për të mbajtur rezerva për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë, të krijuar në treg.

Sipas vendimit, linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare: Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.; Banka Credins, sh.a.; Banka Raiffeisen sh.a., Albania; Banka OTP Albania, sh.a.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.

Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/nënshkruara të garancisë.

Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare.

Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive./ATSH

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here