5 milionë euro për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla e universitete

0

Në Tiranë u prezantua sot programi i ri kombëtar i sportit në shkolla e universitete, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministret Evis Kushi, Ogerta Manastirliu e Bora Muzhaqi, kryetari i bashkisë Erion Veliaj dhe përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, kryetarët e bashkive, drejtuesit e arsimit etj.

Duke marrë fjalën në këtë takim, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se, “sot prezantojmë një nga projektet më të bukura, që do të na shoqërojë gjatë këtij vitit në institucionet tona arsimore”.

“Për herë të parë qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 5 milionë euro për masivizimin e sportit në shkolla dhe universitete, krijimin e ekipeve sportive dhe organizimin e kampionateve sportive në nivel shkolle, universitetesh dhe deri në nivel kombëtar”, theksoi ministrja.

Ministrja Kushi informoi se, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të organizojë të gjithë punën e këtij programi, teksa do të jenë të përfshirë edhe shumë aktorë, që nga shkollat, universitetet, bashkitë etj.

“Kultura dhe ndërgjegjësimi për sportin, për një jetë të shëndetshme dhe identifikimi i talenteve sportive, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në takimet ndërkombëtare, janë specifika të këtij projekti”, vuri në dukje Kushi.

Ministrja i bëri apel institucioneve arsimore, bashkive dhe aktorëve të linjës, të angazhohen me qëllim që fëmijët të përfitojnë sa më shumë nga ky projekt dhe nismë e rëndësishme me dobi në shëndetin dhe jetën sociale të vendit.

“Vitin e ardhshëm dyfishojmë numrin e klasave sportive në 400, dhe shtojmë disiplinat sportive”, theksoi Kushi.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli e vlerësoi këtë projekt si një iniciativë që për herë të parë, do të shtrihet në çdo bashki të Shqipërisë dhe në tre nivelet e sistemit arsimor (fillor, të mesëm dhe të lartë) me qëllim promovimin e kulturës sportive si pjesë të jetës së përditshme.

Ylli tha se “objekti i këtij projekti është krijimi i një programi kombëtar, që në fazën e parë do të shtrihet në dy sporte, volejboll dhe basketboll. Duke krijuar ekipe respektivisht për meshkuj dhe femra në këto dy disiplina në të tre nivelet e sistemit arsimor. Ndërsa ekipet përkatëse me elementët e talentuar do të stërviten nga trajnerë profesionistë”.

“Projekti do të prekë afërsisht 16 mijë nxënës dhe studentë. Do të krijohen mbi 750 skuadra sportive (volejboll dhe basketboll). Do të angazhohen 380 trajnerë, duke hapur kështu edhe vende të reja pune në këtë sektor, të cilët do të paguhen nga ky buxhet që qeveria ka akorduar. Të gjithë nxënësit e studentët do të përfitojnë informacione promovuese për këto sporte që do të nxisë më shumë gjallërimin sportiv të vendit”, tha Ylli, teksa kërkoi përcaktimin e personit përgjegjës nga çdo bashki, i cili do të angazhohet në koordinimin e këtij programi.

Ndërsa ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se kërkesa për më shumë masivizim të jetës sportive vijon të mbetet kërkesë e vazhdueshme e të rinjve.

“Biem dakord që duhet të jemi ne ata që duhet të kujdesemi për fëmijët, që nga ushqimet që ata konsumojnë dhe duke vijuar edhe me aktivizimin sportiv. Së pari, si një alternativë për një shëndet më të mirë dhe së dyti, si një premisë për një karrierë më të suksesshme”, tha Muzhaqi.

Ajo vuri në dukje se Tirana është kurorëzuar këtë vit si “Qyteti Evropian i Rinisë” dhe fokusi ynë patjetër do të jetë rinia, duke filluar që nga inovacioni, diversiteti, mjedisi dhe pa dyshim edhe sporti.

“Qëllimi ynë është të organizojmë kampionate sportive duke përfshirë të gjithë të rinjtë e të rejat që nga shkollat 9-vjeçare e deri tek universitetet në dy disiplina, volejboll dhe basketboll, dhe nga viti në vit duke u zgjeruar në disiplina të reja”, theksoi Muzhaqi.

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha se vëmendja e qeverisë ndaj fëmijëve është evidente në çdo drejtim.

“E kemi nisur me investimin në spitalin Pediatrik në Tiranë. Ne po bëhemi gati të përfundojmë një seri investimesh të tjera, si në Berat, Kukës etj., që mundësojnë më shumë shërbime të mira për fëmijët tanë. Teksa do të vijojmë me investime të reja të niveleve nga më bashkëkohoret për fëmijët tanë. Programi për kujdesin e shikimit tek fëmijët, do të sigurojë kontroll falas të syve për fëmijët në shkolla”, tha Manastirliu.

“Gjithashtu në kuadër të kujdesit ndaj fëmijëve, do të zbatojmë programin për kujdesin ndaj obezitetit dhe të mbipeshës për fëmijët. Për të adresuar çështje të kujdesit shëndetësor bashkë me Ministrinë e Arsimit ne kemi nisur një program 4-vjeçar për promovimin e jetës së shëndetshme, ashtu sikurse është edhe projekti për sportin”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të kontribuar në zbatimin me sukses të këtij programi, që siç tha ajo, “i shërben shëndetit të fëmijëve dhe mirëqenies sociale”.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here