96-vjet Republikë, Ambasada e Turqisë në Tiranë organizon ceremoninë solemne(VIDEO)

0
3

Me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, Ambasada e Turqisë në Tiranë ka organizuar një pritje solemne me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme.

Të pranishëm në pritjen zyrtare ishin nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se edhe pas 100 vjetësh, Turqia është gati të qëndrojë me të njëjtën vendosmëri përballë çfarëdo lloj vështirësie apo rreziku që synon kombin dhe sigurinë kombëtare.

“Edhe me të gjitha përpjekjet tona, kërcënimi i terrorizmit me origjinë nga Siria nuk është ndaluar dhe gjithmonë si pikësynim ka pasur vendin tonë. Gjatë dy viteve të fundit, organizata terroriste PKK/YPG ka sulmuar Turqinë me qindra herë. Në këto kushte, Operacioni ‘Burimi i Paqes’ synonte të ofronte sigurinë e popullit tonë duke dëbuar PKK/YPG-në dhe DEASH-in nga kufijtë e territorit tonë. Pas një operacioni jashtëzakonisht të përpiktë, ne kemi arritur një marrëveshje me SHBA-të dhe Rusinë për tërheqjen e PKK/YPG-së nga një zonë e sigurt prej 30 km nga kufijtë tanë”, tha ambasadori turk.

Ai tha se Turqia është në një rajon me fqinjë të paqëndrueshëm dhe me shumë sfida dhe shtoi se “ne i bëjmë ballë këtyre sfidave në një mënyrë të vendosur dhe parimore, të udhëhequr nga thënia e famshme e Mustafa Kemal Ataturkut: ‘Paqe në atdhe, Paqe në botë’ “.

“Që nga viti 2002, Turqia po transformon ekonominë e saj, duke forcuar strukturën e saj financiare ndërsa në të njëjtën kohë zbaton reforma për më shumë demokraci dhe administrim më të mirë të vendit. Sot, si një anëtar i G20, duke pasur ekonominë e 6-të më të madhe në Evropë dhe të 16-ën më të madhe në botë; duke pasur ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe duke qenë në qendër të të gjitha institucioneve Euro-atlantike, ne vazhdojmë të ecim me vendosmëri të thellë drejt objektivave tona të vitit 2023”, u shpreh ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi se ndërsa festojnë 96-vjetorin e Republikës së Turqisë, gjithashtu festojnë 96-vjetorin e ‘Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Përjetshëm’ midis Turqisë dhe Shqipërisë dhe shtoi se “Jemi krenarë që jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri në shumë fusha strategjike si financa, telekomunikacioni, aviacioni civil, shëndetësia, minierat, industria, arsimi, energjia dhe infrastruktura. Jemi krenarë që jemi partneri i 3-të më i madh tregtar i Shqipërisë”.

“Shqipëria ka një rol kryesor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht si anëtare e plote e BE-së , është në interes të Turqisë, si dhe të Ballkanit dhe të Evropës”, u shpreh më tej ambasadori turk.

Ambasadori turk po ashtu theksoi se “Ndërsa po përkujtojmë themeluesin e Republikës sonë Gazi Mustafa Kemal Atatrkun, bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë veteranët tanë, ne me respekt kujtojmë gjithashtu dhe dëshmorët tanë që humbën jetën duke mbrojtur vendin tonë, duke luftuar kundër organizatave terroriste dhe duke i rezistuar përpjekjes së pabesë të grushtit të shtetit 15 Korrikut nga Organizata Terroriste e Fetullah Gülenit”.

Ndërkohë gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e Ditës së Republikës.

Turqia më 29 tetor shënon 96-vjetorin e shpalljes së Republikës, ndërsa me rastin e Ditës së Republikës organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here