Agjencia bërthamore: Centrali i Zaporizhjas mezi i shpëtoi katastrofës

0

Centrali bërthamor në Zaporizhja – më i madhi në Evropë – mezi i ka shpëtuar fatkeqësisë, pas bombardimeve gjatë fundjavës. Kështu tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA). Sipas agjencisë “shpërthime të fuqishme” goditën këtë central mbrëmjen e 19 nëntorit dhe mëngjesin e 20 nëntorit.

Ky central ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt. Kreu i Agjencisë, Rafael Grossi, tha më 20 nëntor se kushdo që qëlloi në central po “luan me shumë jetë njerëzish”.

“Ishim me fat që një incident, potencialisht serioz, bërthamor nuk ndodhi”, tha ai, duke e shtuar se “herën tjetër mund të mos jemi kaq me fat”. Rusia dhe Ukraina vazhdimisht kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime pranë centralit bërthamor të Zaporizhjës, që gjendet në jug të Ukrainës.

Ky central u pushtua nga Rusia pak kohë pas nisjes së luftës ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në shtator miratoi një rezolutë përmes së cilës i kërkoi Rusisë që t’i japë fund pushtimit të centralit.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here