Nuk kanë qenë të pakëta herët kur SPAK është akuzuar nga të dy krahët politikë, si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca për punën e kryer.

 

Kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, në një raportim përpara Komisionit të Ligjeve është  shprehur se në punën e tij nuk e ka ndjerë asnjëherë presionin duke thënë se “politika ka punën e vet që t’i sulmojë”.

 

Teksa iu përgjigj deputetes demokrate Dhurata Çupi, Dumani tha se falë Kuvendit SPAK ka një kornizë kushtetuese dhe ligjore që na garanton pavarësi të plotë nga politika.

 

“Falë Kuvendit, kemi një kornizë kushtetuese dhe ligjore që na garanton pavarësi të plotë nga politika. Çdo prokuror mund të ushtrojë i pavarur funksionet e tij kushtetuese dhe ligjore. Unë nuk e ndjej dhe as nuk e kam ndjerë presionin e politikës, politika ka punën e vet do të na sulmojë, por në vendimmarrje të mos ndikohemi nga politika, por produkt i një analize të provave”, u shpreh Dumani.

 

Më tej ai u ndal te sulmet kibernetike.

 

“Ka pasur tentativa për sulm kibernetik, por nuk është prekur. Të gjithë jemi të rrezikuar nga sulmet kibernetike. Ne vazhdojmë dhe investojmë çdo vit në këtë drejtim,, që të reduktojmë mundësinë për të na sulmuar”, përfundoi Dumani.