Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) njofton se xhudistja Distria Krasniqi ishte bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa në finale mposhti bartësen e dytë, hungarezen Reka Pupp.

 

Krasniqi tani ka bilanc prej gjashtë fitoresh e një humbjeje me xhudisten hungareze Pupp.

 

Kampionia olimpike Distria Krasniqi në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën pa telashe e mposhti spanjollen Marina Castello Diez, ndërsa në çerekfinale e kaloi mongolen Sosorbaram Lkhagvasuren.

 

“Zemra e Parisit sot për herë të shtatë flet shqip! Titulli i shtatë me radhë në Grand Slamin e Parisit për Kosovën tonë. Distria Krasniqi sot ishte tjetër nivel! E artë e mrekullueshme me performancë fantastike!”, theksoi trajneri i Distrias, Driton Kuka, pas fitores së xhudistes.

 

Me të artën, Distria fitoi edhe 1.000 pikë në ranglistën botërore.

 

Të dielën në Paris garon edhe xhudistja tjetër kosovare Loriana Kuka në kategorinë deri në 78 kilogramë./AA