Në një intervistë për “S’e luan topi”, Almeda Abazi ka rrëfyer jetën e saj nga adoleshenca deri më sot, duke përmendur disa nga gjërat që e kanë shenjuar. Ajo foli si rrallëherë për largimin e parakohshëm nga jeta të të atit.

 

Ajo kujtoi se ka qenë vetëm 15 vjeçe dhe ishte në Turqi me të ëmën dhe motrën, pasi prindërit e saj ishin ndarë në atë kohë. Kur mësuan për gjendjen e vështirë shëndetësore të të atit, nëna e saj vendosi të riktheheshin për t’u kujdesur për të, edhe pse ishin ndarë.

 

Ajo kujtoi se njëra nga veshkat e babait të saj kishte dalë jashtë funksionit, por ishin prekur edhe organe të tjera. Almeda tha se ajo ishte e para që u ofrua për t’i dhuruar veshkën, por i ati ia preu shkurt duke i thënë se nëse do ta bënte s’do t’ia falte kurrë. Megjithatë,, ajo nuk mund ta bënte edhe për shkak të moshës.