Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër po transportonin 6 emigrantë në mënyrë ilegale kundrejt një pagese.

 

Uniformat blu njoftojnë se kanë vënë në pranga shtetasin Nuri Cila 21 vjeç pasi në bashkëpunim me shtetasin M. H., po transportonin 6 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesave 500-1000 euro/person, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, drejt shteteve të BE-së.

 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Tarifa”, të zhvilluar më datë 30.03.2023, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, shtetasin e shpallur në kërkim Nuri Cila, 21 vjeç, banues në Kavajë.

 

Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se 21-vjeçari kishte bashkëpunuar me shtetasin M. H. (të arrestuar në flagrancë gjatë operacionit “Tarifa”), për transportimin e 6 emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave 500-1000 euro/person, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, drejt shteteve të BE-së”, tha policia.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.