Qendra e re e grumbullimit dhe përpunimit të bimëve medicinale, në fshatin Lazarat të Gjirokastrës ka nisur nga puna pak ditë më parë, nën drejtimin e bashkisë, me përfshirjen e disa profesionistëve të rinj të zonës, si edhe krijimin e Shoqatës së Bashkuar Bujqësore, e cila aktualisht numëron 30 fermerë.

 

Nga një ish ndërtesë shkolle e rrënuar dhe një terren publik, pa asnjë funksion për banorët, me investimin e bashkisë në bashkëpunim me fermerët e zonës, u shndërrua në një qendër moderne me teknologji bashkëkohore për mbledhjen dhe përpunimin e bimëve mjeksore një pasuri shumë e madhe natyrore që ka Lazarati dhe më gjerë.

 

Kryeministri Rama u ndal sot në qendrën e re të grumbullimit për t’u njohur nga afër me insvestimin.

 

“Kjo është ndertesa, e cila ishte një ish ndërtesë shkolle e rrënuar, u përdor shumë pak si shkollë e ndërtuar me një investim publik për të ardhur keq në vitin 2009 dhe pastaj u abandonua. Komplet një terren publik i abandonuar dhe pa program, pa projekt në të cilën nuk gjeti zbatim as për vetë banorët e Lazaratit. Prej dy vitesh bashkia në bashkëpunim me gjithë çunat, edhe fermerët e Lazaratit që janë njerëz shumë punëtorë, dakordesuan dhe ndërtuan këtë projekt Gjithë ideja është e përpunimit të një pasurie shumë të mëdha natyrore që ka Lazarati, por edhe zona më gjerë, deri në Lunxhëri dhe Libohovë në bimë mjekësore, për t’i marrë, për t’i përpunuar. Ka një kërkesë shumë të madhe dhe sot është bërë me një investim të bashkisë dhe të donatorëve qendër e përpunimit të bimëve medicinale që është inauguruar pardje. Është krijuar dhe shoqata e fermerëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Lazarati, por dhe fermerë rreth e rrotull për t’i mbledhur dhe për t’i përpunuar.”- shpjegoi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

 

Ndërkohë një prej sipërmarrëseve të zonës teksa vlerësoi mbështetjen e marrë nga bashkia, për këtë qendër tha se pasuria e zonës në varietete të larmishme të bimëve medicinale, do të jetë një gjenerues në aspektin ekonomik dhe të punësimit.

 

“Është për tu vlerësuar dhe fakti që këtu, në bazë të studimit që ne kemi bërë, zona e Gjirokastrës kultivon dhe rriten diku tek 400 lloj varietete të ndryshme të bimëve medicinale. Jemi një nga vendet më të pasura, thuajse dhe në rang bote, pasi materiali dhe vetë formacioni i lëndës është i tillë. Ne, përveçse do donim që kjo qendër të ishte funksionale në aspektin ekonomik të saj të gjenerimit të fondeve, sigurisht që duam ta përfshijmë edhe në skemën e rrugëtimeve aromatike pasi të gjithë plantacionet që do krijohen në zonë, do kishim dëshirë të ishin dhe të vizituara dhe nga turistët.” – u shpreh ajo.

 

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë për ngritjen e qendrës duke theksuar se më mbështetjen e duhur, mund të bëhet një industri e lehtë e qëndrueshme që ti japë të ardhura gjithë zonës. “Ne këtë sh.p.k që keni krijuar ju duhet ta fuqizojmë me çdo kusht, t’i japim mbështetje që edhe të shohin të tjerët dhe të bashkohen dhe që të bëhet një industri e lehtë e qëndrueshme dhe t’i japë të ardhura gjithë zones.”/ATSH