Janë shënuar sërish tensione në veri të Kosovës, kryesisht në Zveçan dhe Zubin Potok.  Qindra serbë raportohet se janë mbledhur pranë godinave të komunës për të mos lejuar kryetarët e sapozgjedhur të shkojnë në punë.

 

Ndërkaq, qindra policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e sigurisë, ndërsa është vënë re dhe prania e trupave dhe mjeteve të blinduara të KFOR.

 

Sipas raportimeve, në godinën e komunës në Zveçan, policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve.

 

Mes të pranishmëve në Zveçan vihet re dhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili ka biseduar dhe me drejtuesit e KFOR në lidhje me situatën.

 

Sipas raportimeve, ai tha se kërkesë e serbëve atje është që kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal. Ai, po ashtu, kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga kjo zonë.