Franca dënon në mënyrën më të ashpër sulmet ndaj Misionit Paqeruajtës (KFOR) në Kosovë.

 

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme thuhet se Parisi dënon dhunën në veri të Kosovës dhe u bën thirrje palëve, kryesisht Qeverisë së Kosovës që të marrin masat e nevojshme.

 

"Franca solidarizohet me ushtarët e KFOR-it, disa prej të cilëve u plagosën dhe të cilët kryejnë detyrën për të ulur tensionet mes protestuesve serbë dhe Policisë së Kosovës", thuhet në deklaratë ku më tej vihet theksi se Parisi i dënon ashpër këto sulme.

 

"Është e domosdoshme që Prishtina dhe Beogradi të marrin përgjegjësi duke u rikthyer në tryezën e negociatave me një qasje dakorduese për të garantuar paqen dhe sigurinë për kosovarët dhe serbët", thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se rrezikimi i paqes rajonale në nivel ndërkombëtar nuk mund të tolerohet dhe se ky është një problem sigurie për Evropën.

 

- Mbajtja e protestave

 

Në veri të Kosovë ku ditët e fundit janë rritur tensionet, serbët zhvillojnë protesta duke u mbledhur para ndërtesave të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq duke tentuar të hyjnë në ndërtesat e komunave dhe duke penguar fillimin e detyrës për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

 

Serbët kërkojnë tërheqjen e Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave dhe mosfillimin e detyrës së kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë të komunave, ndërkohë që tentojnë të hyjnë në ndërtesat e komunave duke kapërcyer kordonin policor.

 

Policia e Kosovës dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë kanë rrethuar me tela ndërtesat e komunave dhe shtuan numrin e personelit në rajon.

 

- Tensionet në veri të Kosovë

 

Mes forcave të sigurisë dhe serbëve në veri të Kosovës, edhe më 26 maj u shënuan përleshje pasi policia "asistoi" kryetarët e komunave veriore Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në të cilat jetojnë kryesisht serbët.

 

Ndërkohë u bë e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i dha urdhër ushtrisë për "gatishmëri" dhe se pjesëtarët e ushtrisë serbe janë nisur drejt kufirit të Kosovës.

 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në rajon u fituan nga kandidatët e partive politike shqiptare, ndërsa u bojkotuan nga serbët e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga 45.095 votues të regjistruar në komunat veriore, votuan vetëm 1.567 qytetarë (3.47 për qind) e tyre./AA