Prokuroria Tiranë ka monitoruar patrullën e “Shqiponjave” me metoda speciale hetimi pasi u kapën në flagrancë duke marrë rryshfet.

 

 

Sipas Prokurorisë, më datë 10.05.2023, në bazë të materialeve hetimore të ardhura nga AMP, Drejtoria Rajonale Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka filluar hetimet për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 259-25 tw K.Penal.

 

Nga aktet referuese, mësohet se Agjencia e Mbikqyrjes Policore, në përmbushje të objektit të veprimtarisë së saj, përcaktuar në Ligjin Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” me qëllim “,..parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale si dhe i shkeljeve të ligjit, të kryera nga punonjësit e strukturave gjatë ushtrimit të detyrës e për shkak të saj, në vijimësi kishte administruar të dhëna operative në ngarkim të disa punonjësve të policisë, efektivë në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të dhëna këto që i implikonin ata, në veprimtari të kundraligjshme dhe përmbushnin elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 dhe 25 të K. Penal.

 

Nga ana e kësaj strukture, me autorizim të prokurorit dhe vendim Gjykate, janë mbikqyrur në ambiente publike dhe janë mbajtur raporte shërbimi të shoqëruara me metoda speciale të hetimit, për monitorimin e veprimtarisë së patrullave të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vende të caktuara ku edhe janë pikasur raste abuzimi me detyrën.

 

Më datë 28.05.2023, nga kryerja e veprimeve simuluese me agjentë të AMP-së, njëri prej punonjësve të policisë të “Shqiponjave”, i kishte kërkuar dhe marrë agjentit të infiltruar, një sasi prej 100 (njëqind) euro në formën e rryshfetit, për t’i lejuar që të vazhdonin udhëtimin, pa u ndëshkuar dhe kontrolluar.

 

Gjatë ndërhyrjes së menjëhershme të Oficerëve të Policisë Gjyqësore, është realizuar kapja në flagrancë e dy punonjësve të policisë së “Shqiponjave”, A. Ç. dhe H. Xh.

 

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A.Ç., në momentin që hiqte jelekun e shërbimit me ngjyrë të kuqe, nga brendësia e tij ra në tokë kartemonedha EURO e prerjes 100.

 

Vazhdon puna për evidentimin dhe dokumentimin e plotë të rastit si dhe kapjen edhe të efektiveve të tjerë apo personave ndihmës, të përfshirë në aktivitete korruptive.