Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se puna në tunelin e Murrizit po vijon, ndërsa janë metrat e fundit që edhe kjo vepër, më e rëndësishmja e Rrugës së Arbrit, të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

 

Rama ndau në rrjetet sociale foto nga ky kantier i rëndësishëm infrastrukturor, i cili sipas tij, “bën të mundur që i gjithë qarku i Dibrës të jetë akoma edhe më afër me Tiranën”.

 

“Gjeologjia solli vonesat në ecurinë e këtij projekti, por puna nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet deri në përfundimin dhe hapjen e plotë të tunelit, i cili bën të mundur që i gjithë qarku i Dibrës të jetë akoma edhe më afër me Tiranën”, shtoi Kryeministri.

 

Në Rrugën e Arbrit ka përfunduar puna për ndërtimin e të gjitha segmenteve rrugore, ndërsa ende kanë mbetur edhe 400 metra pa hapur në tunelin e Murrizit, prej 3.8 km.

 

Problemet gjeologjike kanë bërë që ky tunel të mos përfundojë në afatin e paracaktuar, prill 2022, por punimet të shtyhen edhe për 17 muaj.