Prej gati 3 javësh në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit vijon të ketë vonesa të gjatë në shkarkimin në port të anijeve, si dhe ngarkimit të tyre në kamionë.

 

 

Pavarësisht se Autoriteti Portual Durrës (APD) është angazhuar për zgjidhjen e problematikës, situata vazhdon të mbetet e njëjtë sipas drejtuesve të linjave detare. Ata ngrenë shqetësimin se vonesat po shkaktohen nga mungesa e mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të tyre, për rrjedhojë po shtohen kostot për ta dhe furnitorët.

 

Disa ditë më parë 5 kompanitë e linjave detare, CMA CGM ALBANIA, MEDITERRANEAN SHIPPING COMPANY ALBANIA, STACON SHIPPING AL, HUB ADRIATIC, STELLA MARE një letër drejtuar kreut të autoritetit Portual Durrës (APD) Pirro Vengu, ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama ngrenë shqetësimin e kostove shtesë nga vonesat e gjata në shkarkimin e anijeve.

 

Operatorët theksojnë se e gjitha kjo vjen për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të kompanisë koncensionare, por teksa APD dhe koncensionari fajësojnë njëra-tjetrën situata mbetet pa zgjidhje.

 

“Në shumicën e kohës që ne evidentojmë dhe ju paraqesim problemin APD bën fajtor operatorin e shërbimit “Mariner Adriatic”, ndërsa ky fundit na komunikon gjendjen problematike të vinçave dhe mjeteve të ngarkim-shkarkimit. Përfundimisht, ngelemi pa zgjidhje”, theksojnë operatorët në letër.

Shërbimi për përpunimin e anijeve në terminalin e kontejnerëve prej muajit mars 2021 funksionin me koncesion nëpërmjet “Hili Company Limeted” e përfaqësuar në Shqipëri nga filiali “Mariner Adriatic” për një afat 5 vjeçar. Kompania koncesionare është përgjegjëse vetëm për mirëmbajtjen e mjeteve që përdoren për shkarkimin e anijeve, pasi asetet infrastrukturore dhe pajisjet sipas parashikimeve të kontratës koncesionare janë transferuar nga autoriteti kontraktor APD tek kontraktori “Mariner Adriatic”.

Më herët shërbimi në terminalin e kontejnerëve administrohej nga kompania turke “Durrës Container Terminal” e cila kishte nënshkruar me qeverinë shqiptare në 2011 kontratën koncesionare me afat 30 vjeçar. Në 2018 qeveria kërkoi anulimin e koncesionit, duke hapur çështje gjyqësore, pasi koncesionari nuk kishte përmbushur kushtet. Për përfundimin e kontratës kompania turke i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit. Pas një periudhe që shërbimi u menaxhua nga APD, gara për tenderin ndërkombëtar u fitua nga kompania malteze “Hili Company Limeted”.

Sipas përllogaritjeve të operatorëve detarë aktualisht rënia e produktivitetit të koncesionarit “Mariner Adriatic” në 22 deri 23 kontejnerë në orë krahasuar në një sasi prej 30 kontejnerë në orë që ishte produktiviteti përpunues i kompanisë së mëparshme koncesionare turke, “Durrës Container Terminal” ka shtuar 500 orë pritjet e anijeve për shkarkim.

 

Letra e operatorëve detarë

 

U bë kohë e gjatë që terminali i kontejnerëve shfaq probleme serioze në lidhje me produktivitetin, duke shkaktuar vonesa dhe kosto të shumta:

1. Problemi më i rëndësishëm lidhet me produktivitetin e vinçave. Nga 2 vinça që përdoren njëri prej tyre shfaq gjatë gjithë kohës probleme teknike që konsistojnë në ndalesa të shumta. Kjo përkthehet në:

2. Vonesa në kohën operacionale të anijeve = kosto shtesë

3. Akumulim i anijeve dhe pritje në radë = kosto shtesë

4. Akumulim i ngarkesave brenda në terminal, duke penguar dhe produktivitetin në tokë (brenda terminalit). Kjo e fundit shkakton vonesa në evadim që përkthehen në ditë magazinimi = kosto shtesë.

5. Kohë e shtuar për ngarkimin e eksporteve për shkak të arsyeve të sipërpërmendura = Kosto shtesë.

6. Problem i dytë ka lidhje me pamjaftueshmërinë e mjeteve të ngarkim-shkarkimit brenda në terminal (reach-stackers). Megjithëse behën përpjekje të vazhdueshme dhe flitet për rritje në numër apo blerje të reja, rezultati është i njëjtë:

7. Vonesa në ngarkim apo shkarkim të kontejnerëve plot = kosto shtesë

8. Vonesa në dorëzimin e kontejnerëve bosh apo ngarkimin e tyre për eksport = kosto shtesë

9. Rradhë të gjata në hyrje të terminalit të cilat krijojnë vonesa (= kosto), acarim (çdo ditë dëgjohen nga zyrat tona, boritë e kamionëve në shenjë proteste) dhe kosto për importuesit dhe eksportuesit tanë në mënyrë të pashmangshme.

Ndërkohë që produktiviteti ka rënë (krahasuar me kompaninë koncesionare të mëparshme), tarifat janë rritur. Këto të fundit edhe pse janë diskutuar, disa prej kërkesave tona nuk janë marrë parasysh.

Na u komunikua që së shpejti do të kemi kontrata nga operatori i shërbimit. Sot, vazhdojmë akoma të punojmë pa kontrata. Pra, njëanshmëria e kushteve të bashkëpunimit është e dukshme, kur nuk ka një marrëveshje ligjore që rregullon ato.

Na është njoftuar që së shpejti do të operonim me 2 anije njëherësh. Vazhdojmë të operojmë me 1 anije dhe kushte tepër të vështira. Shpesh here detyrohemi të devijojmë nga itinerari ose të presim me ditë. Sot që po flasim anija CONTSHIP ECO pret prej 3 ditësh në radë.

Na është thënë që me ndryshimet logjistike në terminal (ndryshimi i portave hyrëse/dalëse në terminal) do të kishim një menaxhim më të mirë të hapësirës si dhe në performance. Rezultati është radhë të gjata kamionësh që presin të shkarkojnë edhe kontejnerët bosh (dikur menaxhohej jashtë terminalit në një shesh të dedikuar).

Në shumicën e kohës që ne evidentojmë dhe ju paraqesim problemin APD bën fajtor operatorin e shërbimit Mariner Adriatic, ndërsa ky fundit na komunikon gjendjen problematike të vinçave dhe mjeteve të ngarkim-shkarkimit. Përfundimisht, ngelemi pa zgjidhje.

Dhe sikur mos mjaftojnë këto përballemi dhe me probleme të tjera që ndoshta nuk lidhen drejtpërsëdrejti me ju, por që ndikojnë akoma më tepër në proces.

 

Kosto e lartë e shërbimit monopol të rimorkimit. Shpesh herë për shkak të vonesave duhet të paguajmë tarifa të kripura jashtë orarit, ndërkohë që shumicën e rasteve rimorkiatorët janë vetëm në gatishmëri (larg anijes) dhe jo në asistencë (duke e shtyrë apo tërhequr këtë të fundit).

Pagesa në dorë (cash) e plumbçeve në doganë. Edhe pse u përfol disa herë ky problem, vazhdon të japë pasojat e veta duke ju shtuar zinxhirit të problemeve të shumta. Ndërkohë që flitet për luftën kundër informalitetit, ky i fundit fillon të shfaqet që në pikën kufitare hyrëse në portin e Durrësit, me pagesën me para në dorë të plumbçeve të doganës. Kjo problematikë është shtuar ndër vite dhe nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje.

Duke shpresuar që të merrni seriozisht në konsideratë këtë ankesë ju informojmë që dedikimi ynë maksimal në lidhje me aktivitetin në terminalin e kontejnerëve nuk ka munguar. Ajo që mungon është suporti juaj për të qenë konkurrues në tregun vendas dhe rajonal.

Reagimi i koncensinarit

Kompania koncesionare Mariner Adriatic pohoi për Monitor se arsyeja kryesore e vonesave në shkarkimin e kontejnerëve mbetet rritja e vëllimit të mallrave. Kompania koncesionare thekson se ka rritur punën për mirëmbajtjen e mjeteve me qëllim shtimin e produktivitetit.

“Mariner Adriatic, si Kompania e Menaxhimit dhe Operacionit të Terminalit të Kontejnerëve në Portin e Durrësit, kohët e fundit ka një rritje të mirë dhe të konsiderueshme të vëllimit të kontejnerëve. Vëllimi i muajit prillit 2023 ishte rreth 43% më i lartë se prilli 2022. Tendenca mbetet e ngjashme edhe sot.

Ne kemi zbatuar plotësisht operacionet e specializuara të kontejnerëve dhe sistemin e planifikimit NavisN4 për të arritur produktivitet më të mirë të oborrit dhe pajisjeve. Terminali i kontejnerëve është i disponueshëm për të punuar 24/7.

Kohët e fundit kemi rritur hapësirën e oborrit për të ruajtur më shumë kontejnerë, Autoriteti Portual i Durrësit ka dorëzuar reachstacker të ri për operimet në oborr dhe së shpejti do të dorëzojë një vinç të ri për operimin e anijeve. Mariner Adriatic është në diskutime me Autoritetin Portual të Durrësit për disa propozime për përmirësime të mëtejshme në efiçencë”, theksohet në reagimin e Mariner Adriatic.

Reagimi i APD për operatorët

“Autoriteti Portual Durrës monitoron në kohë reale të gjithë aktivitetin përpunues në terminalet portuale dhe ndan shqetësimin e të gjithë përdoruesve, linjave kontejnerikë, agjencive doganore dhe spedicionere në lidhje me vonesat e shkaktuara përgjatë javëve të fundit në procesin e ngarkim-shkarkimit si dhe në pjesën e magazinimit të kontejnerëve.

Sikurse jeni në dijeni, në bashkëpunim me stafet tuaja dhe Administratën Doganore, Autoriteti Portual Durrës ka marrë masa në mënyrë të vazhdueshme për të krijuar lehtësi në përpunimin dhe evadimin e kontejnerëve në import/eksport, duke marrë në konsideratë dhe kufizimet objektive të infrastrukturës dhe makinerive portuale ekzistuese.

Më konkretisht kemi mundësuar zgjerimin e hapësirave të Terminalit të Kontejnerëve, dhe së fundmi kemi krijuar infrastrukturën e nevojshme që kontejnerët bosh të depozitohen jashtë Terminalit, masë kjo që lehtëson qarkullimin dhe rrit shpejtësinë e procesit të evadimit të kontejnerëve.

 

Për sa parashtroni në lidhje me gjendjen teknike të makinerive të rënda dhe terminalit në tërësi, ju sqarojmë se:

– Sikurse jeni në dijeni ka pasur një avari në vinçin portual MHC 2120, çka pritet të gjejë zgjidhje në ditët në vijim, me mbërritjen ditën e hënë të pjesëve të këmbimit përkatëse;

– Për sa i përket mjeteve lëvizëse (reach-stackers) në bashkëpunim dhe me operatorin e terminalit do të kemi funksional shtesë në terminal dhe 2 (dy) reach-stackers të tjerë, ku po kryhen sot instalimet përkatëse softuerikë në përputhje me sistemin operativ NAVIS;

– Përgjatë muajve të kaluar janë realizuar investime dhe përmirësime cilësorë në instalimet për kontejnerët frigoriferikë, duke eliminuar kësisoj një pjesë të mirë të shqetësimeve për përpunimin e tyre.

Krahas masave të sipërcituara të marra nga APD, na duhet të theksojmë faktin se gjendemi në sezonin e lartë të aktivitetit portual dhe në katër muajt e parë të këtij viti kemi konstatuar një rritje të konsiderueshme të volumeve tregtare që përpunohen në Portin e Durrësit : madje bëhet fjalë për volumin më të lartë të kontejnerëve edhe në krahasim me vitin rekord 2021 (nga 45,000 njësi në 4 muaj në 48,000 njësi sot, ku evidentojmë gjithashtu një rritje të kontejnerëve me mallra për eksport).

Volume në rritje janë një lajm i mirë për ekonominë tonë por sigurisht dhe një sfidë për infrastrukturën portuale. Kjo është pikërisht një prej arsyeve kryesore përse Qeveria shqiptare ka vendosur të investojë në një terminal të ri në Porto Romano për të siguruar dyfishim të thellësisë aktuale dhe trefishim të kapacitetit përpunues.

Në lidhje me sa parashtroni për mungesën e një kontrate mes Jush dhe operatorit të terminalit, sqarojmë se tarifat e shërbimeve janë të miratuara me udhëzim të përbashkët “Për përcaktimin e tarifave dhe shërbimeve portuale në Autoritetin Portual Durrës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe janë publike. Gjithashtu jemi të mendimit se mungesa e një kontrate të tillë me operatorin e terminalit nuk e ka cenuar në të kaluarën mbarëvajtjen e bashkëpunimit mes palëve.

Gjithsesi, duke mirëkuptuar kërkesën tuaj për të krijuar një marrëdhënie juridike mes Linjave kontejnerike dhe Portit të Durrësit, e cila do të përcaktonte të drejtat dhe detyrimet mes palëve për të krijuar më shumë siguri juridike dhe operacionale, Autoriteti Portual është në dispozicionin tuaj për të negociuar dhe dakordësuar një marrëveshje të tillë, pa cenuar kuadrin ligjor dhe financiar ekzistues.

Ne lidhje me shqetësimet e tjera që parashtroni, siç janë kostot e rimorkimit apo plugimi i kontejnerëve, theksojmë se këto çështje nuk janë kompetencë e Autoritetit Portual, por mbetemi në dispozicionin tuaj për t’i adresuar bashkërisht pranë institucioneve përkatëse.

Në mënyrë që të trajtojmë të gjitha këto problematika në funksion të përmirësimit të shërbimeve portuale në tërësi, ju ftojmë në një takim në ambientet e APD-së, ditën e hënë datë 29.05.2023 ora 10:30./Monitor