Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i paraqiti zyrtarisht qeverisë britanike shqetësimet e tij mbi projektligjin e ri të emigracionit, për të cilin thotë se mund t`i frenojë njerëzit që të kërkojnë azil.

 

Ndalimi i gomoneve që mbërrijnë përmes La Manshit nga Franca është kthyer në prioritetin e kryeministrit konservator Rishi Sunak dhe projektligjit të miratuar nga dhoma e ulët e parlamentit britanik në muajin prill. Nëse merr edhe dritën jeshile të Dhomës së Lordëve, ai do të lejojë ndalimin dhe dëbimin e menjëhershëm të atyre që shkojnë ilegalisht me varka në Angli dhe deportimin e tyre ose në vendet e origjinës ose në të ashtuquajturat shtete të treta të sigurta si Ruanda.

 

“Jemi shumë të shqetësuar përsa i takon ligjit ndërkombëtar të emigracionit nga perspektiva e legjislacionit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, sepse ligji në thelb i ndalon njerëzit të kërkojnë azil në Britani nëse mbërrijnë nga një rrugë e caktuar,” pohoi Turk në një intervistë të dhënë nga Gjeneva.

 

Normalisht, është detyrë e shefit të të drejtave të OKB-së të komunikojë me qeveritë për ato që perceptohen si dështime të tyre, por disa ekspertë pohuan për Reuters se nuk është e zakonshme që demokracitë perëndimore të marrin qortime zyrtare në këtë drejtim.

Turk, një diplomat i sprovuar i OKB-së, i cili ka punuar për shumë vite në nxitje të mbrojtjes së refugjatëve, u shpreh se ligjet dhe narrativat kundër emigrantëve po ashpërsohen në vendet e pasura, edhe pse kanë marrë shumë më pak emigrantë dhe refugjatë se një sërë vendesh të varfra si Uganda e Bangladeshi. Ai bëri thirrje për veprime më të rrepta ndaj trafikantëve dhe për promovimin e rrugëve të rregullta të emigrimit.