Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy efektivët e “Shqiponjave”, Andi Çelmeta dhe Hashim Xhixha, të arrestuar të hënën në Tiranë me akuzat për korrupsion.

 

Njëherësh, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, togat e zeza vendosën të shpallin moskompetencën dhe t’ia kalojnë dosje SPAK.

 

Dy efektivët u arrestuan në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) pasi morën 100 euro ryshfet për të toleruar shkeljen e rregullave të qarkullimit nga një qytetar, që rezultoi të ishte një agjent i infiltruar i AMP.

 

Gjatë arrestimit atyre iu gjetën me vete 1400 euro. Hetimi për dy policët kishte nisur më herët nga AMP pas disa kallëzimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm në adresë të tyre për korrupsion.