Teksa u paraqit për të dytën herë brenda pak ditësh në SPAK, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha se do ta shohim shpesh në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

Në një prononcim për gazetarët Noka u shpreh se detyra e PD është të denoncojë farsën elektorale të 14 Majit.

 

Noka thekson se janë bërë shumë kallëzime për zgjedhjet lokale, ndërsa shton se detyra e tij është të qëndrojë përballë regjimit kundër çdo batërdie që është bërë në fushatë.

 

“U denoncua një mega aferë lidhur me një shifër të frikshme për landfillin, që ka qenë e likuiduar dikur nga Bashkia dhe është riparuar në funksion të fushatës elektorale. Ne jemi këtu për të denoncuar aktivitetin anti-ligjor të kryetarit të bashkisë Krujë dhe Vorë që sipas informacioneve tona kanë përdorur fondet e tërmetit dhe abuzimin me fondet e ndihmës ekonomike duke paguar nën dorë e mbi dorë, me postë e me bankë për persona, në kundërshtim me ligjin.

 

Detyra jonë është dhe do ta vazhdojmë ta denoncojmë përditë farsën elektorale. Janë shumë kallëzime, më vjen keq të them se do më shihni shpesh në këto dyer sepse kam detyrën t’i qëndroj përballë këtij regjimi kundër çdo batërdie që kanë bërë në fushatë. Për të gjitha çështjet që flas, janë regjistruar! Shpresoj mos të ketë urdhër politik për t’i mbyllur. Vazhdojmë ta akuzojmë, është organi i drejtësisë që në rastin e keqpërdorimit të buxhetit të shqiptarëve, kanë një mundësi për të provuar veten dhe për të vërteteuar që dalin jashtë xhepit të qeverisë, që dalin nga sqetullat e regjimit”, deklaroi Noka.