Velipojë, Shkodër/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Baks 2”, si rezultat i një pune hetimore disajavore me metoda proaktive.

Falë inteligjencës policore, përdorimit të dronëve të Policisë si dhe hetimeve proaktive evidentohen dhe shkatërrohen 6 minisera ku ishin të kultivuara 270 bimë të dyshuara cannabis sativa.

Kapen dhe arrestohen në flagrancë, duke u kujdesur për miniserat me kanabis, dy autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Më herët në kuadër të operacionit policor të koduar “Baks 1”, u vu në pranga një 19-vjeçar dhe u sekuestruan 2 armë zjarri (1 armë zjarri pistoletë dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Stacionit të Policisë Velipojë, falë inteligjencës policore se dy shtetas nga fshati Baks, kishin ngritur 6 minisera brenda të cilave kishin kultivuar bimë narkotike, kanë referuar materialet në Prokurori, e cila ka regjistuar procedimin penal.

Pas disa javë hetimesh proaktive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Baks 2”.

Në kuadër të operacionit shërbimet e Policisë duke përdorur dhe dronë për të monitoruar lëvizjet e autorëve, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

– O. J., 33 vjeç dhe L. Sh., 28 vjeç, të dy banues në fshatin Baks, Velipojë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke zbuluar nga plasmasi miniserat, të cilat gjatë natës i mbulonin me plasmas.

Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të bimëve narkotike dhe prova të tjera që do ti shërbejnë hetimit, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.