Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako konfirmoi sot se, një ekip prej 38 personash është bërë gati për të shkuar drejt Turqisë, për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit shkatërrues 7.9 ballë që goditi vendin.

 

Në një intervistë televizive, Çako tha se, ka pasur dëme katastrofike të mëdha, në jetë njerëzish dhe dëme të mëdha, në objekte e godina, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.

 

“Qeveria shqiptare, Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes në kontakt intensive ka shprehur jo vetëm solidaritetin por edhe gatishmërinë për të vënë në dispozicion grupet e kërkim-shpëtimit. Brenda ekipeve do të ketë dhe mjekë”, tha Çako.

 

Ai theksoi se, shumë shpejt këto forca të koordinuara do të nisen me një avion të posaçëm.

 

“Për pak orë besoj që do të nisen drejt destinacionit përkatës. 38 persona janë ekip, specialistë të kërkim-shpëtimit, mjekë dhe infermierë. Bëhemi pjesë e dhimbjes së madhe të popullit turk por edhe me gatishmëri”, tha Çako.

 

Më herët, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi.