740 kilogramë medikamente me vlerë afro 120 milionë euro janë kapur në dy vite nga antikontrabanda në tentativë për t’u futur në tregun shqiptar.

 

Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve e konsideron këtë një sasi të madhe të barnave kontrabandë, por njëherazi thotë se ky fenomen vazhdon prej vitesh. Shkak është mungesa e barnave në treg.

 

“Është një fenomen që ushqehet nga realiteti shqiptar i i mosprezencës në çdo kohë i të gjitha barnave që nevojiten në vendin tonë”, thotë Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit.

 

Ligjërisht barnat në Shqipëri futen me leje importi ose duke i regjistruar ato.

 

“Ngërçi i parë që kanë kompani të ndryshme është i pajisjes së lejes së kësaj natyre. Nuk bëhet fjalë për barna që një kompani e ka dhe hajt po fusim dhe një tjetër. Jo, bëhet fjalë për barna që nuk gjenden në treg”, u shpreh Toma.

 

Por kjo është vetëm ajo çfarë është kapur. Jo në pak raste në vendin tonë kanë hyrë barna në sasi të vogla, të cilat shiten në tregun e zi pa pullë.

 

Përgjatë vitit 2022 në vendin tonë kanë hyrë në mënyrë të ligjshme mbi 6 milionë kg barna dhe materiale mjekësore, që kapin vlerën e 27 miliardë lekë. Ato vijnë kryesisht nga Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut  dhe Serbia.