SPAK ka nisur hetimet ndaj personave që dyshohet se kanë nxjerrë sekretin hetimor në lidhje me arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

 

Hetimet kanë nisur për  funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet për kryerjen e veprës penale ”Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.

 

Fillimi i hetimeve kryesisht për këtë vepër penale është bërë për shkak të zbulimit ndaj të tretëve të të dhënave dhe të përmbajtjes së akteve procedurale, të cilat përbëjnë ”sekret hetimor”, që lidhen me veprimet procedurale të paraqitjes dhe të shqyrtimit të kërkesës me objekt caktimin e masave të sigurimit në ngarkim të shtetasve V.D etj, të kryera në kuadër të procedimit penal nr.197 viti 2020 të Prokurorisë së Posaçme.

 

Objekt i hetimeve do të jenë veprimet e të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e veprimeve procedurale për caktimin e masave të sigurimit për procedimin penal nr.197 viti 2020, duke përfshirë funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë.’-njofton SPAK.