Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i shprehu sot solidaritetin dhe mbështetje homologut turk, Süleyman Soylu, pas tërmetit shkatërrimtar që preku Turqinë.

 

Ministri Çuçi në mesazhin e tij, shprehu dhembjen për familjet e viktimave që humbën të dashurit e tyre dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit.

 

“I kam shprehur homologut tim turk, Süleyman Soylu, solidaritetin dhe mbështetjen tonë pas tërmetit shkatërrues që shkaktoi një tragjedi të madhe në Turqi dhe në një pjesë të Sirisë”, theksoi Çuçi në një postim në rrjetet sociale.

 

“Ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave që humbën të dashurit e tyre dhe lutemi për shërim të shpejtë të të plagosurve. Zemrat dhe mendjet tona janë me popullin turk duke mos harruar kurrë miqësinë e dy kombeve tona dhe mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme që kanë dhënë për Shqipërinë”, shkroi Çuçi.