Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, po merr pjesë në Takimin e ministrave të jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), ku po zhvillohen diskutime të rëndësishme.

 

Në takimin e mbajtur në Riad dhe të bashkëkryesuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al- Saud po diskutohet mbi strategjitë për të luftuar rrjetet e ISIS dhe ideologjinë e tyre ekstremiste.

 

“Përkushtimi i Shqipërisë ndaj përpjekjeve kolektive për çrrënjosjen e këtij kërcënimi global mbetet i palëkundur. Të bashkuar ne do të luftojmë terrorizmin për një botë të paqtë dhe më të sigurtë”, tha Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.

 

Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Koalicionit Global të luftës kundër ISIS, përbën një event të rëndësishëm dhe kontribues në orientimin, bashkimin e përpjekjeve globale, shprehjes dhe riafirmimit të vendosmërisë dhe angazhimit të vendeve partnere në Koalicion, për një fitore të qëndrueshme kundër terrorizmit ndërkombëtar, mbi bazën e zbatimit të kërkesave të së drejtës dhe akteve ndërkombëtare, posaçërisht të rezolutave të KSOKB.