Drithërat, vajrat, bulmeti dhe mishi janë ndër ato produkte ushqimore që sipas indeksit të FAO-s kanë pësuar rënie në bursat botërore. Por në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera europiane, po kërkohet vazhdimisht edhe ulja e çmimeve në raftet e marketeve.

 

Sipas tregtarëve, kjo gjë nuk po ndodh, për shkak se kriza është zhvendosur nga çmimet e lëndëve të para, karburantit dhe energjisë, tek presioni për rritje pagash, materialesh të tjera, e deri tek kostot e ambalazhit.

 

Edhe pse importuesit po përfitojnë nga luhatja e euros, sipas Haxhiymerit, këto biznese po hasin sërish kosto të larta deri në paraqitjen e produktit final tek konsumatori. Nëse do të ketë një rënie të çmimeve për produktet e importuara apo do të ketë qëndrueshmëri, ai thotë se kjo varet nga situata klimaterike e vendeve të tjera.

 

Ndërkohë, prodhuesit e miellit deklarojnë se ky është momenti që krahas çmimeve të diskutohet edhe për cilësinë e tij. Sipas Haxhiymerit, vendi ynë ende nuk i ka të gjithë laboratorët e nevojshëm për kontrollin e cilësisë dhe prodhuesit i kanë kërkuar qeverisë të investojë në këtë drejtim.