Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

 

Pro këtij projektligji votuan 86 deputetë, derisa nuk pati asnjë votë kundër dhe vetëm 1 abstenim.

 

E për këtë projektligj i cili sjell disa risi për mënyrën e votimit për mërgatën por edhe votën preferenciale e ndryshime të tjera, shprehën konsensus të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

 

​Kurti: Ligji i jep fund padrejtësisë që u është bërë mërgimtarëve

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur sot se me projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës po i jepet fund një padrejtësie të madhe që i bërë ndër vite mërgatës.

 

“ Ligji i ri për zgjedhjet do t’i japë fund padrejtësisë së gjatë që u është bërë të gjithë mërgimtarëve shtetasve të Kosovës lidhja e tyre e fuqishme me vendin e vetë kontributi i tyre i pamohueshëm në çdo kohë e në çdo rrethanë e bënë edhe më të domosdoshme nevojën që ata të jenë sa më shumë pjesë aktive e vendimmarrjes në atdheun e tyre”, ka theksuar ai.

 

“Ndër çështjet më të rëndësishme, të cilat rregullohen me këtë projektligj janë regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit e drejta e votës, numërimi i votave të fletëvotimeve të kandidatëve të subjekteve politike dhe mbështetja financiare shtesë për partitë, të cilat krijojnë hapësirë për numër më të madh të deputeteve gra sa është kuota e përcaktuar. Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online përmes një platforme që do ta krijojë KQZ në mënyrë që votuesit nga mërgata të mos kenë nevojë të dërgojnë dokumente të shumta qoftë përmes e-mail apo përmes postës. Me platformën e regjistrimit online synohet të zvogëlohen barrierat teknike e procedurale, por edhe të ulet kostoja dhe të rritet efikasiteti”, ka thënë Kurti.

 

Kurti është shprehur se përmes projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovës e drejta e votës iu takon vetëm atyre që janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.

 

“Me këtë ligj të ri mërgata do t’i ketë tri mënyra të votimit. E para votimi fizikisht në ambasada e konsullata, e dyta votimi i dërguar me postë të brendshme në adresë të ambasadës dhe e treta mënyra e vjetër duke i dërguar ato në adresë të KQZ. Me ligjin e ri e drejta e votës iu takon vetëm atyre që janë të regjistruar në regjistrin civil respektivisht ata që janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës. me këtë projektligj ruhet shpejtësia numërimit të votave për partitë politike si dhe shpallja e rezultateve disa orë pas mbylljes së vendvotimeve. Por, projektligji gjithashtu adreson shkakun kryesor të rinumërimeve, duke bartur numërimin e votave për kandidatët në qendrat komunale të numërimeve përmes një procesi transparent gjë që mundëson certifikim më të shpejt të rezultateve zgjedhore”, është shprehur Kurti.