Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, njoftoi se vendi i tij do të dërgojë ekipet e saj në Türkiye për të kontribuar në operacionet e shpëtimit pas tërmeteve shkatërruese që goditën pjesën jugore të vendit.

 

"Me kërkesë të presidentit Emmanuel Macron, 139 pjesëtarët e parë të mbrojtjes civile do të nisen për në Türkiye mbrëmjen e sotme në kuadër të mekanizmit evropian të solidaritetit", shkroi Gerald Darmanin në Twitter.

 

Ai shtoi se Franca "qëndron në solidaritet të plotë me Türkiye-n në këto rrethana të tmerrshme".

 

Të paktën 1.498 njerëz kanë humbur jetën dhe 8.533 të tjerë u plagosën nga dy tërmetet e fuqishme që goditën provincën Kahramanmaras të Türkiyes jugore, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

 

Sipas AFAD, lëkundjet e para me magnitudë 7.7 ballë dridhën tokën në orën 04:17 të mëngjesit sipas kohës lokale, epiqendra e të cilit ishte në Pazarcik të provincës Kahramanmaras dhe preku rëndë disa provinca të tjera.

 

Tërmeti u ndje edhe në disa vende të rajonit, duke përfshirë Libanin dhe Sirinë.

 

Kjo u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.6 ballë në orën 13:24 sipas kohës lokale, epiqendra e të cilit ishte në qarkun Elbistan të Kahramanmarasit.

 

Të paktën 810 njerëz humbën jetën dhe 2.315 të tjerë u plagosën në Siri nga tërmetet, sipas shifrave të përpiluara nga Ministria e Shëndetësisë e regjimit dhe të Mbrojtjes Civile Siriane./AA