Është ndarë nga jeta Dr. Qamil Furriku, mjeku pediatër i spitalit të Pukës.

 

Prej 40 vitesh, mjeku Furriku shërbeu me përkushtim e profesionalizëm të lartë, i respektuar dhe i vlerësuar nga i gjithë komuniteti.

 

Ministria e Shëndetësisë i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të shumtë të Dr. Qamilit.

 

Mes shumë bluzave të bardha, mjeku Furriku u vlerësua në dhjetor të 2019-ës nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu me pllakën e  mirënjohjes për kontribut në përballimin e situatës së tërmetit.

 

Rrok Dodaj kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Pukës ka shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të mjekut të njohur Qamil Furrikut, një prej figurave më të dashura dhe të respektuara në të gjithë territorin e dy bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz.

 

“Në shërbim të qytetarëve për më shumë se katër dekada, Doktor Qamili, siç e thërrisnim të gjithë, do të mbahet mend përherë për devotshmërinë dhe papërtueshmërinërinë, përkushtimin e jashtëzakonshëm, humanizmin e rrallë dhe zemërgjerësinë e Tij të pashoqe, në ndihmë të çdo banori në nevojë në Pukë.  Shembull frymëzimi për mjekët e rinj, human, qytetar dhe familjar model, kujtimi i Dr. Qamil Furrikut, do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve NE, të cilët e njohëm nga afër”, thekson Dodaj.

 

Ai nënvizon se mjekësia pukjane, ka humbur sot  një personalitet të çmuar të saj, një kontribuotor të palodhur, një shërbëtor gojëmbël, një humanist të pashoq.

 

“Në këto momente tepër të vështira, për këtë humbje të pazëvendësueshme, ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, bashkëshortes Mejreme, fëmijëve të tij, Blerimit dhe Evës, kolegëve dhe të gjithë komunitetit të dashur të Pukës! Lutemi, që shpirti i Tij të prehet në paqen e merituar”, shprehet Dodaj në mesazhin e ngushëllimit.