Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka vijuar me akuzat në lidhje me zgjedhjet e 14 Majit, ku thotë se të burgosurve i është bërë presion për të votuar Erion Veliajn.

 

Në konferencën e përjavshme për mediat, Berisha thotë se një nga manipulimet është bërë në burgjet e Shqipërisë.

 

Sipas tij, përkatësisht në burgun 313 Emiljano Shullazi i ka kërkuar të burgosurve të votojnë për Veliajn me format më të egra të presionit.

 

Ai thotë se shumica e të burgosurve ka refuzuar të votojë, pasi sipas tij lista e zgjedhësve ka pasur gjithsej 130 votues ndërsa në ditën e votimit kanë votuar 300 votues.

 

“Gjithashtu një manipulim i tmerrshëm është bërë në burgjet e Shqipërisë. Informoj publikun se në burgun 313, ku ndodhen rreth 600 të burgosur, të burgosur nga grupi i Shullazit dhe vetë Shullazi, iu janë bërë format më të egra të presionit.

 

Shullazi dhe grupi i tij, është lejuar në kundërshtim flagrant me rregulloren e burgut, të kalojë nga kati në kat për të ushtruar terror mbi të burgosurit për të votuar për Erion Veliajn. Të burgosurve iu është kërkuar deklaratë, por ka nga ata që kanë refuzuar deklaratën për dinjitetin dhe nuk kanë firmosur për të votuar për Erion Veliajn. Në listën e zgjedhësve ka pasur gjithsej 130 votues, në ditën e votimit kanë votuar 300 votues”, tha Berisha.