Nën urdhrat e trajnerit Sylvinho, kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për dy përballjet e muajit qershor, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Grupi prej 26 lojtarësh është vënë në dispozicion të teknikut, teksa stërvitjet kanë vijuar me dy seanca. Në prag të sfidës ndaj moldavëve në Tiranë, kanë dalë në konferencë për shtyp dy lojtarët, Armando Sadiku e Adrian Bajrami.

 

Heroi i Euro 2016 rrëfeu emocionet e rikthimit në kombëtare.

 

“E prisja që trajneri do të më thërriste. Kam biseduar disa herë me të, që prej emërimit të tij. Jam shumë i kënaqur që u riktheva dhe kisha shumë kohë që e prisja grumbullimin. Kur mora ftesën, isha shumë i lumtur”, tha Sadiku.

 

Më tej Sadiku ka analizuar dhe grupin e lojtarëve të grumbulluar.

 

“Kemi shumë cilësi. Vetëm të shikosh se ku luajnë të gjithë mesfushorët që kemi në Kombëtare, është privilegj. Nuk e kemi pasur më parë. Ne sulmuesit duhet të jemi shumë të vëmendshëm në çdo aksion, që topat që do të na furnizojnë, t’i kthejmë në gola. Moldavia është një ekip i fortë dhe parashikohet që do të rrinë në mbrojtje. Do të jetë e vështirë. Por do të mundohemi që me rastet që do të kemi, t’i shfrytëzojmë. Kemi shumë besim te mesfusha jonë”, shtoi Sadiku.

 

Mbrojtësi i Benfikës, Adrian Bajrami i ka cilësuar të vështira përballjet në kuadër të kualifikueseve.

 

“Për mendimin tim nuk ka skuadra të lehta, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne duhet të japim maksimumin dhe duhet të jemi 100 për qind të fokusuar për atë që do të ndodhë në fushë”, tha Bajrami.