“Sulmi kibernetik i 15 korrikut, ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar vendi ynë”.
Kështu deklaroi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në konferencën e organizuar në Tiranë, për sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Ministrja tha se, “sulmi ishte një akt agresioni shtetëror i paprovokuar kundër një vendi të pavarur e sovran. Nëse sulmi do të kishte qenë i suksesshëm, pasojat për qytetarët shqiptarë do të kishin qenë të jashtëzakonshme”.
Xhaçka theksoi se, “Shqipëria ofron 95% të shërbimeve online, ku sulmi kompromentoi ofrimin e këtyre shërbimeve”.
Ministrja shprehu mirënjohje për Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilat, siç tha ajo, kemi bashkëpunim të dobishëm në fushën e sigurisë kibernetike.
Ajo tha se, asnjë vend në botë, nuk është sot i aftë të përballojë i vetëm sfidat e sigurisë kibernetike.
Xhaçka u shpreh se, me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, kemi çdo arsye të mendojmë që sulmet kibernetike vetëm sa do të shpeshtohen.
Ajo shtoi se, “nevoja për të ngritur kapacitete mbrojtëse ndaj këtyre sulmeve po bëhet çështje qendrore në çdo organizatë ndërkombëtare ku ne bëjmë pjesë. Në vitin e dytë të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit, siguria kibernetike do të jetë një nga temat kryesore që do të trajtohet. Në çdo angazhim tonin me BE dhe NATO, siguria kibernetike është kthyer në një kryefjalë të punës tonë diplomatike”.
Xhaçka theksoi se, BE po luan një rol kyç në krijimin e strategjive të përshtatshme të sigurisë kibernetike.
Ajo shtoi se, “një zhvillim konkret në rajonin tonë, është ngritja e Qendrës për Rritjen e Kapaciteteve Kibernetike në Ballkanin Perëndimor e ngritur në Podgoricë. Kjo qendër synon forcimin e kapaciteteve reaguese operacionale dhe institucionale të qeverive të vendeve të BP”.
Ministrja tha se, “fokusi kryesor i punës tonë diplomatike, sa i përket sigurisë kibernetike, ka qenë me SHBA dhe mbështetja e mëtejshme ndaj Shqipërisë, do të kishte një impakt të ndjeshëm edhe tek vetë besueshmëria e SHBA-ve në rajon”.
Xhaçka shtoi se, “MEPJ do të vazhdojë ta trajtojë sigurinë kibernetike si një prioritet në çdo aspekt të punës së saj. Vetëm duke bashkëpunuar, do të arrijmë t’i sigurojmë vendit kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme për të përballuar sfidat e sotme të sigurisë”./ATSH