Në konferencën për Sigurinë Kibernetike, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se, vendi ynë ka nxjerrë mësime pas sulmeve të fundit ndaj infrastrukturës digjitale duke rritur buxhetin për investime në këtë sektor.

 

“Pas sulmit kibernetik në sistemet e Policisë së Shtetit, na u desh që të nxirrnim një mësim të mirë, për t’u foksuar gjithnjë e më shumë tek mbrojtja e sistemeve tona. Pikërisht për t’i bërë të padepërtueshme këto sisteme kemi shtuar buxhetin si asnjëherë më parë në të kaluarën për investimet në teknologji në Policinë e Shtetit dhe në mbrojtjen kibernetike. Vetëm përgjatë këtij viti kemi planifikuar 7.6 herë më shumë investime në teknologji për Policinë e Shtetit se viti i shkuar”, tha Çuçi.

 

Ai foli edhe për një arkitekturë të re të sigurisë kibernetike.

 

“Sulmi që na ndodhi, le të themi që pati edhe këtë të “mirë” sepse ngriti alertin si kurrë më parë tek ne, për t’u përqendruar në garantimin e infrastrukturës digjitale. Dhe jo vetëm kaq, por ky ishte alarmi edhe për një strategji të re, me burime njerëzore shumë më të kualifikuara dhe mentalitet që kupton sfidat e sigurisë kibernetike”, deklaroi Çuçi.

 

Në përfundim të fjalës së tij ministri i Brendshëm foli edhe për një trajtim më të mirë financiar për burimet njerëzore që do të punojnë në sigurinë kibernetike. Ai i bëri gjithashtu ftesë të rinjve profesionistë të kësaj fushe që t’i bashkohen institucioneve publike.

 

“Në mënyrë që të ndërtojmë një ekosistem sa më të sigurt dhe të qëndrueshëm, ne duhet të çojmë në një nivel tjetër punën tonë. Synimi ynë është të jemi konkurrues njësoj si sektori privat kur është fjala tek përthithja në institucionet tona publike e kapaciteteve të mira njerëzore në këtë fushë. Po punojmë në këtë drejtim për një skemë të re trajtimi financiar dhe zhvillimi në karrierë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët për të mbrojtur sistemet tona digjitale nga sulmet kibernetike”, tha ai.

 

Çuçi gjithashtu ftoi të rinjtë profesionistë të kësaj fushe që të bashkohen në projektin për të ngritur e forcuar strukturat dhe politikat e reja të sigurisë kibernetike në Policinë e Shtetit.

 

“E përfundoj këtë fjalë me një ftesë të hapur ndaj të rinjve dhe të rejave profesionistë të kësaj fushe, të na bashkohen në projektin tonë për të ngritur e forcuar strukturat dhe politikat e reja të sigurisë kibernetike në Policinë e Shtetit”, përfundoi Çuçi./ATSH