Britania e Madhe njoftoi të hënën mbështetje për Türkiye-n, duke përfshirë dërgimin e një ekipi prej 76 specialistësh kërkim-shpëtimi, pajisje dhe qen shpëtimi, pas tërmeteve shkatërruese që tronditën rajonin jugor të vendit.

 

"Jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje të mëtejshme sipas nevojës", shkroi në Twitter Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly.

 

Të paktën 3.381 persona kanë humbur jetën dhe 20.426 të tjerë janë plagosur në 10 provinca pas tërmeteve që goditën të hënën.

 

Të hënën herët në mëngjes, një tërmet i fortë 7.7 ballë, epiqendra e të cilit ishte në qarkun Pazarcik, tronditi provincën e Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca të tjera duke përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

 

Ai u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.6 ballë, epiqendra e të cilit gjithashtu ishte në Kahramanmaraş.

 

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, kishte përgëzuar më herët "shpëtimtarët e parë që punuan me guxim të pashoq për të nxjerrë të bllokuarit nga tërmeti".

 

"Britania e Madhe është e gatshme të ndihmojë në çfarëdo mënyre të mundshme", shkroi ai në Twitter.

 

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se fatkeqësia ishte "më e madhja" që i ndodhi vendit që nga shekulli i kaluar pas tërmetit të vitit 1939 në provincën lindore Erzincan./AA