Banka e Shqipërisë po punon për plotësimin e kuadrit rregullator, mbi kërkesat që duhet të zbatojë sektori bankar për sigurimin e një mbrojtjeje të përshtatshme kibernetike.

 

Në strategjinë afatmesme të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2023-2025, parashikohet adoptimi i standardeve ndërkombëtare për vlerësimin e mjaftueshmërisë së perimetrit të sigurisë ndaj sulmeve kibernetike, të vijueshmërisë së veprimtarisë së subjekteve të licencuara dhe një rritje të bashkëpunimit me bankat në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike.

 

Aktualisht, Banka e Shqipërisë nuk ka një rregullore të posaçme në lidhje me standardet apo kriteret që duhet të përmbushin bankat tregtare lidhur me sigurinë kibernetike.

 

Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nga bankat rregullohet kryesisht nga rregulloret, “Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike”, dhe ajo “Për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit në subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë”.

 

Duke pasur parasysh përparimin e shpejtë të teknologjisë dhe rritjes së shkallës së rrezikut kibernetik, kuadri rregullator në këtë drejtim është i nevojshëm të përmirësohet sipas BE-së./ATSH