Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, vlerësoi sot mobilizimin përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, të ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore në Turqi, pas tërmetit shkatërrimtar.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE informoi se, ekipi shqiptar i kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës mjekësore me 54 anëtarë, të mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ndodhet tashmë në terren për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar.

 

Delegacioni i Bashkimit Europian theksoi se, “Shqipëria, së bashku me 18 shtete evropiane, u bë menjëherë pjesë e mbështetjes evropiane për të prekurit nga tërmeti”.

 

“Shembulli më i mirë i solidaritetit evropian”, thuhet në njoftimin e ambasadës së BE-së.

 

Pak ditë më parë, Shqipëria hodhi hapin e fundit për t’u bërë anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke miratuar në Kuvend marrëveshjen përkatëse./ATSH