Nga Jorida Tabaku-
 
Ndiqni paranë ishte këshilla ime për SPAK në fund të prezantimit të raportit të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve prej mbi 100 faqe.
Ndiqni paranë dhe lidhjet e parave ishte ajo çfarë përsërita në 12 paditë që kam dërguar në SPAK për aferën 430 mln euro.
Paraja do t’iu dërgojë tek të gjithë ata që bashkëpunuan për aferën e 430 mln eurove. 3 inceneratorë janë 1 aferë e madhe që duhet hetuar si një grup i strukturuar kriminal!
Asnjë person me pushtet nuk mund dhe nuk duhet mbrojtur. Asnjë njeri i përfshirë në këto afera korruptive nuk ka përse e bën gjumin e qetë ndërsa abuzon me paratë dhe djersën e shqiptarëve.
Ata kanë pritur për një kohë të gjatë dhe kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë selektive, të atyre që nuk e bëjnë gjumin e qetë sepse kanë frikën e SPAK pasi kanë abuzuar me pushtetin e tyre.
Koha që të japim mesazh për këdo pushtet politik që ka përdorur gjysmë të vërtetat për të sulmuar kë përpiqej të zbulonte dhe dëshmonte për të vërtetën.
Koha që t’i shkojmë deri në fund betejës për të ndëshkuar korrupsionin e inceneratorëve. Në krahun e një drejtësie që lufton për interesin e qytetarëve!