Për Gëzime Bashmilin, e hëna nga një ditë gëzimi për ditëlindjen e vajzës së vogël, iu kthye në shqetësim për gjendjen e vajzës së madhe që studion për mjekësi në Turqi.

 
 
 
 
 

“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Na morën kushërinjtë për të na uruar për vajzën e vogël, kur na pyetën a keni folur në telefon me vajzën në Turqi se ka rënë tërmet i madh. Aty s’po kuptonim ç’kishte ndodhur. Një ankth i vërtetë”, tregon Bashmili.

Puna u ndërpre në biznesin e tyre familjar dhe të gjithë sytë ishin nga mediat për të mësuar çfarë kishte ndodhur, në cilën zonë kishte rënë tërmeti dhe ata luteshin që fatkeqësia natyrore të mos kishte marr jetë njerëzish e të gjithë të ishin mirë…

“Hapëm televizorin për të parë se në cilën zonë ishte.  15 minuta kaluan pa folur me vajzën, na u duk si një shekull. Kush është prind e kupton çdo të thotë të bjerë tërmet e të mos e kesh fëmijën pranë. Shumë ankth”.

 
 

Telefonata me Rejanën ishte qetësuese për Gëzimen, por shqetësimi për situatën në Turqi qëndron me të, mbi të gjitha kur ndjesitë e pasojat e  lëkundjeve sizmologjike nuk janë shumë të largëta për shqiptarët.

Rejana është  studente për mjekësi në Stamboll dhe është në gatishmëri me bashkëmoshatarët e saj për të dhënë ndihmën e parë për të plagosurit, si dhe për tu mobilizuar me ndihma me aq sa kanë mundësi. Por a i shkon në mëndje të ëmës që në këtë kaos Rejana ti kthehet në shtëpi në Shqipëri?

“Me tmerrin që kalova dje, mendova pse se kam në shtëpi. Por vajza është studente e mjekësisë, do të jap ndihmën e saj. Misioni i mjekëve është fisnik. Ata duhet të ndihmojnë sa më shumë njerëz”.

Megjithatë, këshillat e Gëzimes për të bijën janë të kuptueshme shoqëruar me frikën e nënës.