Është mbledhur këtë të mërkurë, Komisioni i Votimit dhe Etikës, ku po diskutohet kërkesa e 7 deputetëve të PS-së, për përjashtimin e 8 deputetëve demokratë për 10 ditë nga seancat plenare, pas kaosit të shkaktuar në seancën e kaluar.  Sipas socialistëve, deputetët e PD të koordinuar me njëri-tjetrin kanë bllokuar foltoren dhe kanë penguar rendin e ditës.

 

Mësohet se në mbledhje që nisi në orën 10:00 të pranishëm janë 6 deputetë të PD, për të cilët është kërkuar përjashtimi.

 

Ndërkohë mbledhja është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetët demokratë kërkojnë praninë e mediave, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka.

 

Sakaq në fjalën e saj deputetja e PD Albana Vokshi u shpreh se mazhoranca kërkon të dënojë opozitën ndërsa shtoi se “vetëm pushkatimi ju ka mbetur”.