Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot se, inceneratori i Elbasanit është funksional.

 

Gjatë deklaratës për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Balluku u shpreh se, pas tre vitesh në punë, ky incenerator është në remont.

 

“Qeveria e ka në fokus trajtimin e mbetjeve. Ky ka qenë dhe projekti fillestar për sa i përket inceneratorëve. Duhet pasur parasysh se rasti i Fierit dhe Elbasanit janë të ndryshëm. Elbasani është funksional dhe ka prodhuar energji. Madje OSHEE ka paguar për të blerë këtë energji. Por pas 3 vitesh mund të ketë kohën e vet të remonteve. Në dijeninë time ka proces të ndryshimit të pompave”, tha Balluku.

 

Zv/kryeministrja shtoi se, incineratori i Elbasanit, tashmë menaxhohet nga bashkia e Elbasanit, sipas një kontrate qiraje me Agjencinë e Sekuestros.

 

Sa i përket inceneratorit të Fierit, Balluku vuri në dukje se, ky incenerator është marrë në menaxhim nga Agjencia e Sekuestros dhe për shkak të procedurës nuk ka qenë në gjendje pune.

 

“Në momentin e marrjes në sekuestrim punimet nuk ishin përfunduar dhe në dijeninë time administratori i sekuestros është duke vijuar procesin për ndërtimin e këtij inceneratori”, tha Balluku./ATSH