Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë në prezantimin e kritereve dhe procedurave të reja për kualifikimin e mësuesve, të fokusuar kryesisht në ndryshimet e kualifikimit 20 vjeçar për marrjen e titullit “Mësues Mjeshtër”.

 

Në fjalën e saj, Kushi theksoi se, “jemi këtu për të prezantuar kriteret dhe procedurat për kualifikimin 20 vjeçar, në të cilin ne parashikojmë që të mos ketë një provim si ai tradicionali që bëhet dhe për kualifikimin 5 vjeçar apo 10 vjeçar”.

 

“Por të jetë zyra vendore arsimore që e administron këtë proces dhe mësuesi apo kandidati për të marrë kualifikimin 20 vjeçar të japë një orë mësimi të hapur në prezencën e përfaqësuesve të rrjetit profesional, të drejtuesve të shkollës, përfaqësues nga këshilli i prindërve, ekipi lëndor dhe detaje të tjera që unë nuk po zgjatem tani, SEPSE i falënderoj shumë për bashkëpunimin të gjithë ekspertët e ASCAP që kanë përgatitur paketën dhe ne kemi marrë vendimin me anë të udhëzimit për të bërë ndryshimet e duhura”, tha Kushi.

 

Ministrja Kushi u shpreh se, “ndër vite ju jeni dëshmitarë se si ne po punojmë, jo vetëm për rritjen e cilësisë së arsimit, por edhe për vlerësimin e mësuesve dhe mbështetjen e tyre, vlerësimin me dinjitet të mësuesve, duke nisur që nga portali “Mësues për Shqipërinë, i cili garanton punësimin me meritokraci dhe transparencë të mësuesve”.

 

“Po ashtu në investimet në infrastrukturën arsimore, për të garantuar edhe kushte më komode për mësuesit dhe nxënësit. Po kështu rritjen e vazhdueshme të pagave që sigurisht ne do kishim dashur të ishte shumë më tepër, por në kushtet në të cilat ndodhemi, dhe pas fatkeqësive natyrore dhe problematikave të ndryshme që të gjithë i dimë, mësuesit kanë qenë një kategori që janë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga qeveria”, nënvizoi Kushi.

 

Kushi u shpreh se, “në mandatin e kaluar ne i kemi rritur pagat 32%, ndërkohë që në këtë mandat jemi angazhuar 40%. I rritëm 6% vitin e kaluar, do t’i rrisim 7% këtë vit. E po kështu do të vazhdojmë çdo vit të këtij mandati”.

 

Ndërkohë, shtoi ajo, “vitin e kaluar, në bashkëpunim dhe me ASCAP ne në mbështetje të vazhdueshme të mësuesve, dhe lehtësimit të punës së tyre, prezantuam paketën e re të vlerësimit të nxënësve, pikërisht për ta lehtësuar mësuesin nga disa aspekte burokratike të punës së tij, dhe të fokusohej më shumë tek komunikimi i drejtpërdrejt, tek puna me nxënësit”.

 

Po kështu, vijoi Kushi, “në praktikën 9-mujore të mësuesve të rinj përpara licencimit, vitin e kaluar e reduktuam në 3 muaj, pikërisht për të shkurtuar kohën që i duhet një studenti, një kandidati për mësues deri në punësimin e tij pas konkurrimit tek portali “Mësues për Shqipërinë””.

 

“Vetëm në vitin 2022 janë bërë mbi 22 mijë trajnime nga ASCAP, dhe natyrisht ne do të vazhdojmë për t’i trajnuar, për t’i kualifikuar për t’i përgatitur mësuesit edhe me kushtet e reja, edhe për sa i takon digjitalizimit. Sepse tashmë ne kemi sistemin e ri SMIP, sistemi që menaxhon të gjithë informacionin parauniversitar, por që natyrisht përveç investimeve në infrastrukturë, në pajisje digjitale, tableta apo kompjuterë, ka nevojë edhe për trajnime të vazhdueshme të mësuesve dhe të të gjithë stafeve mësimore”, tha Kushi.

 

Ndërkohë, shtoi ajo, vitin e kaluar ulëm numrin e nxënësve për klasë, për ciklin e arsimit 9-vjeçar, arsimin bazë.

 

“Ndërkohë që këtë vit kemi marrë vendimin të ulim numrin e nxënësve për klasë edhe në arsimin e mesëm të lartë, në mënyrë që në shtator, në vitin e ardhshëm shkollor edhe klasat e gjimnazeve, të shkollave të mesme, të jenë me një numër më të ulët të nxënësve që edhe puna e mësuesit të jetë më eficiente, por edhe të gjitha programet e tjera që ne aplikojmë në shkollat tona të jenë më produktive”, tha Kushi.

 

Ministrja Kushi tha se, “është fjala për të lehtësuar mësuesin, por jo për të dëmtuar cilësinë, jo për të cenuar cilësinë. Por përkundrazi për ta ngritur mësuesin në një nivel të ri. Ne kemi plotësisht besim tek mësuesit tanë që dhe këtë procedurë të re, këtë mënyrë të re do ta vlerësojnë siç duhet dhe do të përfaqësohen, do të prezantohen me dinjitet”./ATSH