Universiteti i Mjekësisë dënoi sot me ashpërsi dhunën e ushtruar ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në krye të detyrës në ambientet e Spitalit Infektiv.
Në një reagim në rrjetet sociale, Universiteti i Mjekësisë thekson se, “dhuna e përsëritur ndaj ekipit mjekësor, aq me tepër ndaj një mjekeje, që po trajtonte një të sëmurë në çastet e fundit, është e patolerueshme”.
Universiteti i Mjekësisë bën thirrje për rritjen e masave të sigurisë në ambientet spitalore dhe u bën apel qytetarëve, mediave dhe të gjithë faktorëve socialë, administrativë dhe politikë, të solidarizohen në dënimin e dhunës ndaj bluzave të bardha, duke qenë të bindur që punonjësit e shëndetit do të vazhdojnë të japin më të mirën në kujdesin ndaj publikut.
“Kush ngre dorën apo nxit dhunën ndaj bluzave të bardha, ka goditur dhe godet shëndetin e çdo qytetari të Shqipërisë”, thekson Universiteti i Mjekësisë.
Ditën e djeshme, dy shtetas ushtruan dhunë ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.