Pas lajmit të publikuar në fillim të kësaj jave nga “Monitor”, për një rritje të re të çmimeve të nënprodukteve të qumështit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë monitorimin e këtij tregu, për të evidentuar nëse ekzistojnë shenja të marrëveshjeve të ndaluara, sjelljeve të bashkërenduara apo shkeljeve të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

 

“Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”,” thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

 

 

Ky institucion sjell në vëmendje se ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.

 

Shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

 

Sipas burimeve të “Monitor”, kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit kanë informuar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur që nga 15 shkurti, furnizimet e reja me gjalpë dhe djathë do të kenë çmime deri në 37% më të larta. Ndërkohë, burimet nga kompanitë e përpunimit të qumështit pohuan se kjo rritje është aplikuar për shkak të shtrenjtimit të çmimit të qumështit nga fermerët gati me 50%.

 

Qumështi dhe produktet e bulmetit ka qenë ndër produktet që janë shtrenjtuar më shumë gjatë vitit të kaluar. Të dhënat e Instat tregojnë se inflacioni vjetor i nëngrupit “qumësht, djath, vezë” në dhjetor 2022 arriti nivelin rekord prej 25.4%.

 

Rritja e paralajmëruar për në mesin e muajit shkurt nuk është rasti i parë që përpunuesit e qumështit aplikojnë rritje të paralajmëruara të çmimeve. Për shembull, edhe në fund të muajit korrik 2022 ata njoftuan tregtarët me pakicë se çmimet e shitjes së qumështit duke filluar nga data 1 gusht do të rriteshin.

 

Sipas përpunuesve, rritja e çmimit ka ardhur nga ulja ofertës dhe rritja e ndjeshme e çmimit të qumështit, por edhe rritja e kostove të tjera, që nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, ndryshimi i shkallës së TVSH-së, etj.

 

Megjithëse këto rritje të paralajmëruara janë raportuar në vazhdimësi nga “Monitor” dhe janë riprodhuar nga mediat e tjera, këtë vit Autoriteti i Konkurrencës duket më i vëmendshëm në ndjekjen e informacionit mediatik dhe ka vendosur monitorimin e tregut të qumështit dhe nënprodukteve të tij./MONITOR