Biznesmeni Mirel Mërtiri është vënë nën akuzë për korrupsion në aferën e inceneratorëve.

SPAK ka lëshuar urdhër-arrest për Mërtirin.

Mësohet se SPAK i ka përcjell policisë kërkesën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të biznesmenit.

Dyshohet se Mërtiri ndodhet në Austri, ku pak ditë më parë, SPAK ka dërguar edhe dosjen e Stela Gugallias, e cila ka kërkuar azil politik në këtë vend.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme akuzoi zyrtarisht biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit më 15 nëntor të vitit të kaluar.

‘Shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë’ kryer në bashkëpunim dhe ‘pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim’, thuhej askohohe në aktakuzën e SPAK.

Ndërkohë në kërkim më herët u shpallën Stela Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto. Gugallja u paraqit në gjykatën austriake, lajm që u publikua më 7 shkurt. Prokuroria e Posaçme u njoftua se në Gjykatën e Vjenës, në Austri, është duke u kryer procedura e ekstradimit të shtetases Stela Gugallja, nga Austria në Shqipëri, në zbatim të urdhrit të kërkimit ndërkombëtar për këtë shtetase.

Për këtë qëllim, Prokuroria e Posaçme ka përcjellë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e ekstradimit. Aktualisht në burg për aferën e incenetarorëve është ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-vartësi i tij, Alqi Bllako.