Instituti i Shëndetit Publik, pas rindërtimit, do të kthehet në një institucion bashkëkohor, me një strukturë moderne të laboratorëve me pajisje të teknologjisë së lartë.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky projekt i ri, që do të transformojë Institutin e Shëndetit Publik, me njësinë e re të laboratorëve dhe korpusin modern.

 

Rama tha se, “investimi do të garantojë një standard krejt të ri shërbimi, në një prej institucioneve më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”.

 

Faza e parë e rindërtimit të ISHP fillon me ndërtimin e godinës së laboratorëve, që fillon këtë vit, një investim i siguruar nga buxheti i shtetit dhe më pas me godinën qendrore të Institutit të Shëndetit Publik.

 

Projekti përfshin ndërtimin e një laboratori të ri, që do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik, i cili do të përmbledhë të gjithë laboratorët që sot ekzistojnë në godinën aktuale dhe të shpërndarë në godina të tjera, por edhe do të rehabilitojë godinën qendrore të Institutit të Shëndetit Publik duke i dhënë asaj vlera të vërteta të një institucioni, i cili zhvillohet më tej nga pikëpamja shkencore dhe nga pikëpamja organizative./ATSH