Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban tha se Budapesti “i përket kampit të paqes”, pas takimit me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, më 9 shkurt.

Orban i bëri këto komente në rrjete sociale, ndërsa Sekretari hungarez i Shtetit për Marrëdhëniet me Jashtë, Zoltan Kovacs, e citoi atë të thoshte se Hungaria mbështeti “një armëpushim të menjëhershëm për të shmangur vdekjet e mëtejshme”.

 

Orban shtoi se Hungaria do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare dhe financiare për Ukrainën.

 

Hungaria ka kritikuar vazhdimisht sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, dhe deri në një marrëveshje të arritur në dhjetor, bllokoi një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën, të filluar më 24 shkurt të 2022-s, si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

 

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

 

Qeveria e Hungarisë, ka këmbëngulur se sanksionet po dëmtojnë vendet evropiane më shumë se Rusinë dhe deklaroi se vetëm negociatat midis Moskës dhe Uashingtonit – dhe jo tërheqja e trupave ruse nga Ukraina – mund t’i japin fund luftës. /REL