Opozita ka thirrur këtë të shtunë  një protestë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, tashmë disa javë pasi kryefjalë e debatit politik është hetimi i ish-zyrtarit të FBI, Charls McGonigal, edhe për lidhjet e tij me Shqipërinë.

 

Në këtë protestë, e cila pritet të nisë në orën 12:00, demokartët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

 

Sakaq, janë marrë masa dhe dera e Kryeministrisë është blinduar me veshje metalike. Sikurse duket në pamje, ky është momenti kur punonjësit janë duke ndërhyrë në derën e Kryeministrisë.

 

 

 

Për organizimin e protestës është njoftuar edhe Policia e Shtetit, e cila ka bllokuar disa akse rrugore, nga ora 10:00 deri në përfundim të tubimit.

 

Akset e bllokuara për disa orë janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

 

Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshi “Skënderbej” dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë.