Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se, ka tentuar të njollosë PD në vitin 2017, kur në krye të partisë ishte Lulzim Basha, duke e përfshirë në skandalin me financimet ruse.

 

Në një deklaratë për mediet, Pampuri tha se, “Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, bëri publik dje operacionin e Edi Ramës për njollosjen e Partisë Demokratike dhe liderit të saj Lulzim Basha në vitin 2017″.

 

“Pasi foli drejtësia amerikane, sot është koha të flasë pa vonesë edhe drejtësia shqiptare. Qytetarët shqiptarë duhet të shohin vendosmërinë, pavarësinë dhe paanshmërinë e drejtësisë së reformuar, tani që provat ligjore janë të certifikuara nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.

 

Dje, theksoi Pampuri, “shqiptarët mësuan nga Zëri i Amerikës se, fill pas zgjedhjeve të vitit 2017, Edi Rama me ndërmjetësimin e Agron Nezës dhe Dorian Duçkës komisionoi agjentin e FBI, Charles McGonigal për të ngritur çështje kundër Partisë Demokratike dhe rivalit politik të Ramës, Lulzim Basha”.

 

“Përpjekja e Ramës, që me para kesh, me dëshmi të rreme dhe kontrata të paligjshme biznesi të lidhte Partinë Demokratike me Rusinë iu kthye atij në bumerang. Njeriu që i pagoi agjentit McGonigal 225 mijë dollarë kesh, Agron Neza, është njëkohësisht pronari i kompanisë që kaloi fondet ruse për agjentin e FBI. Pas 5 vitesh fushatë propagandistike e të kundraligjshme në Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe në Shqipëri, qytetarët shqiptarë e mësuan se, as Partia Demokratike dhe as ndonjë drejtues e përfaqësues i saj nuk kanë asnjë lidhje me akuzat e gatuara në zyrën e Ramës. Shqiptarët mësuan edhe lidhjen faktike ndërmjet akuzave të regjimit ndaj Partisë Demokratike dhe korrupsionit e metodave kriminale të Edi Ramës. Shqiptarët e panë e bardha mbi të zezë provën e lidhjeve të Edi Ramës me interesat ruse në SHBA dhe Evropë”, tha ajo.

 

Po ashtu, Pampuri tha se, “Partia Demokratike inkurajon institucionet e drejtësisë të fillojnë pa humbur kohë hetimet për këtë aferë të tmerrshme që nuk baltos vetëm Edi Ramën dhe establishmentin për të cilin punojnë ndërmjetësit, Agron Neza dhe Dorian Duçka.

 

“Ndëshkimi i të gjithë aktorëve të këtij operacioni është e vetmja mundësi që reputacioni i Shqipërisë dhe partneriteti strategjik SHBA – Shqipëri të mos cenohet nga kjo aferë.  Institucionet e drejtësisë kanë mbështetjen e plotë dhe të paekuivok të Partisë Demokratike për të zbardhur të vërtetën dhe për të dhënë drejtësi”, tha ajo.