Kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj në videomesazhin e tij javor për qytetarët e Tiranës, u shpreh se Tirana është në rrugën e duhur. Ai tha se ekonomia dhe punësimi janë rritur, ndërsa pohoi se kjo është arritur përmes katërfishimit të turizmit apo zhvillimit të industrisë.

“Është rritur ekonomia, është rritur punësimi në qytetin tonë, shpesh edhe përmes aktiviteteve që më përpara nuk i kishim menduar, siç është 4-fishimi i turizmit; zhvillimit të industrisë së ndërtimit, që punëson rreth 100 mijë vetë; industrisë prodhuese, ajo e zhvillimit të bujqësisë. Jemi siguruar që zhvillimi të prekë çdo cep të Tiranës së madhe, duke çuar investime publike me po të njëjtën cilësi, si këtu qendër, ashtu edhe në zonat rurale, duke filluar nga Shëngjergji, deri në Ndroq, edhe nga Krraba deri në Kashar,” u shpreh Veliaj ndërsa shtoi se duhet tashmë që punët e nisura të cohen deri në fund.

Tirana është në rrugën e duhur, – tha Veliaj, – por lipset që punët e nisura ne t’i çojmë deri në fund, sepse vetëm një skuadër e bashkuar si “Bashkia, Qytetarët dhe Qeveria jonë”, ky trinom që bën që gjërat të funksionojnë, mund të përmbyllë me sukses projektet që ka nisur qyteti ynë”.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku renditi disa nga projektet që sipas tij ja ndërruan faqen Tiranës, mes të cilave edhe bulevardi i ri, që Veliaj e cilësoi si Tirana e 100 viteve të ardhshme. “Nuk mund të rri pa përmendur disa projekte të mëdha, që ia ndërruan dhe ia nderuan faqen Tiranës, duke e kthyer në një kryeqendër ballkanike si: Sheshi “Skënderbej”, ku ne kemi pasur mundësinë të zhvillojmë një pafundësi aktivitetesh pa makina, i dedikuar për njerëzit; si “Pazari i Ri”, që është kthyer në një hapësirë ikonë për Tiranën; “Bulevardi i Ri”, që do të jetë Tirana e 100 viteve të ardhshme, si një zgjatim i shtyllës kurrizore të qytetit tonë; Stadiumi “Arena Kuqezi”, që me gjithë debatin, sot është kthyer në një hapësirë fantastike, jo vetëm për sport, por edhe për ekonominë lokale; sheshi “Italia”; siç është Kalaja, apo Piramida, që presim të hapim; apo si Parku i Liqenit, ku pastruam gjysmën e zaptuar në ish-komunën Farkë dhe ndërkohë shumë shpejt do të hapim Liqenin e Farkës, si mushkëria e dytë e qytetit,” u shpreh Veliaj.

Teksa përmendi nismat sociale , Veliaj tha se Tirana  kurrë nuk është ndarë në të ardhur e vendalinj, ndaj ka ditur të jetë shumë solidare për ata që kanë pasur më pak mundësi dhe më shumë nevojë.

“Prandaj, në traditën më të mirë të Tiranës sonë, ne kemi synuar që ta forcojmë këtë virtyt, përmes ofrimit të banesave sociale, kredive të buta, çekut të bebes, bursave për nxënësit me 10-ta që janë ekselentë dhe një qeverisje në nivel kapilar përmes administratorëve, jo vetëm administratorët e njësive, po deri në nivelin fundor me administratorët e pallateve, risi që nuk ekzistonin më përpara dhe sot janë bërë pjesë e stofit të Tiranës. Sot kemi edhe një Kartë Studenti që ofron edhe abonenë falas, mbulon 50% të kostos së konvikteve, përtej shumë shërbimeve të tjera në rreth 1500 biznese. Këto konvikte që fola, janë transformuar plotësisht, duke ofruar për studentët kushte shumë herë më dinjitoze dhe ato pak që na kanë mbetur, janë sot kantiere për t’u transformuar,” nënvizoi ai.