Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është sërish “në dilemë” nëse do të shkojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih nga 17 deri më 19 shkurt apo jo.

Kështu së paku raportojnë mediat në Serbi, sipas të cilave, vendimi, siç u është thënë nga zyra e Vuçiqit, ende nuk është marrë.

Pas hezitimit për të shkuar në Tiranë në Samitin e BE-së, ai është sërish në një dilemë nëse do të udhëtosh në Mynih apo jo, shkruan mediumi serb Danas, përcjell Telegrafi.

“Ju nuk duhet të refuzoni. Tani pyetja është nëse duhet të shkoj në Mynih. Kam kohë deri të hënën për të vendosur. Aty është konferenca më e madhe e sigurisë në botë. (Olaf) Scholz, (Emmanuel) Macron, (Antony) Blinken, (Josep) Borell – fjalë për fjalë të gjithë – po vijnë. Tani nëse shkon Kurti dhe ne nuk jemi aty, atëherë jemi në hall. Nëse shkoj, e di se si do të duket gjithçka…”, ka thënë ndër tjerash presidenti i Serbisë.

Por bashkëbiseduesit e “Danas” besojnë se Vuçiq duhet të shkojë atje, sido që të jetë.

Nikola Luniq, ish-atasheu ushtarak i Serbisë në Londër dhe drejtor ekzekutiv i Këshillit për Politika Strategjike mendon se ai duhet të shkojë, pavarësisht se kush është atje nga rajoni.

Kjo pasi që sipas tij, në mbledhje të tilla, takimet në skaje shpesh mund të jenë më të rëndësishme dhe më produktive sesa programi zyrtar i konferencës.

Kujtojmë se Konferenca e 59-të e Sigurisë në Mynih do të mbahet nga data 17 deri më 19 shkurt në hotelin Bayerischer Hof.

Gjatë tre ditëve të konferencës, pothuajse një vit nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, vendimmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë të rangut të lartë, duke përfshirë krerët e shteteve dhe qeverive, ministra dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, shoqëria civile, sektori privat dhe media do të merren me sfidat e politikës së jashtme dhe të sigurisë.