Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se që nga viti 1999, Kosova i ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve jo të ligjshme të Serbisë kryesisht duke instrumentalizuar strukturat kriminale në veri të vendit.

Me anë të një postimi në Twitter, Kurti tha se mosfaturimi i energjisë elektrike për serbët në veri dhe refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, po i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj.

 

“Strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, u kanë kushtuar qytetarëve dhe taksapaguesve në pjesën tjetër të vendit 320 milionë euro në faturat e papaguara të energjisë dhe 17 milionë euro në faturat e furnizimit me ujë që nga viti 1999. Strukturat paralele nuk lejojnë faturimin e energjisë elektrike dhe pengojnë zbatimin e një marrëveshjeje energjetike, të arritur në dialog, 10 vjet më parë. Pa nxitje për të kursyer, konsumi në këto komuna u rrit me mbi 70% në një dekadë, pjesërisht për shkak të kultivimit të drogës dhe kriptominimit”, shkroi Kurti.

“Që nga viti ’99, Kosova ka humbur 300 milionë euro të tjera për shkak të veprimeve të Serbisë, si mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që t’i paguajnë TVSH-në Serbisë për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë në Kosovë-Serbi i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, shtoi ai.

Siç thotë kreu i qeverisë, për këto padrejtësi nuk kanë faj qytetarët tanë në komunat veriore.

“Ata e kuptojnë dhe pranojnë se pagesa për shërbimet bazë si energjia elektrike dhe uji është normale dhe se kjo do të mundësonte investimet e nevojshme për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimeve”.

“Ata kanë të drejtë të kenë akses në shërbime të tilla dhe të jetojnë të lirë nga krimi i organizuar, presioni dhe kërcënimet nga strukturat ilegale të udhëhequra nga Serbia. Qeveria ime është e përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe për t’u ofruar atyre lirinë, sigurinë dhe sigurinë që meritojnë”, ka shkruar tutje Kurti.