Pas deklaratës së ditës së djeshme të xhaxhait të Aleks Nikës, se disponon kasetën e audioregjistrimit të  “21 janarit”, oficerët e policisë gjyqësore të sektorit të vrasjeve në policinë e Tiranës kanë shkuar në familjen e tij.

 

Mark Nika xhaxhai i Aleks Nikës ka thënë se familja nuk kishte pranuar që të jepte audiopërgjimin ku dëgjohet të flasë ish-komandanti Ndrea Prendi.

 

Ai shprehet se hetuesit e prokurorisë gjyqësore erdhën për të marrë informacione se çfarë provash kanë siguruar familjarët.

 

Gjithashtu Nika shton se një regjistrim audio i siguruar nga  familja në lidhje me vrasjet mund të marret në hetim vetëm nga SPAK, ai akuzon Prokurorinë  e Tiranës duke thënë se është politizuar.

 

“Sot në shtëpinë e Aleksit erdhën hetues të prokurorisë gjyqësore për të marrë informacione për faktin se çfarë provash kemi siguruar ne. Çështja ka qenë e varrosur në Prokurorinë e Tiranës. Ata nuk kanë pasur vullnetin që çështja të hetohet. Kjo ndoshta jo nga paaftësia, por nga ndikimet politike, pasi ka influencime nga Berishizmi.

 

Oficerët e Policisë Gjyqësore kërkuan që të njiheshin me kasetën, autoregjimistrin. Kjo është pronë e jona, por kërkojmë që ta marrë vetëm SPAK. Kërkojmë që ta marrë vetëm SPAK, se vetëm aty kemi besim. Është i paanshëm. Kjo do të çonte drejt zbardhjes së çështjes. Prokuroria e Tiranës nuk ka këllqe që të merret me këtë çështjes,”-, deklaron xhaxhai Aleks Nikës.